RTSH 24 Live

Muzikë

Ngritën kupën e Fest 63, "Shkodra Elektronike" me një mesazh falënderimi

05/01/2025

Ngritën kupën e Fest 63, "Shkodra Elektronike" me një mesazh falënderimi

13 ditë pasi Fest 63 ka ulur siparin, fituesit e Festivalit, grupi "Shkodra Elektronike" përmes një mesazhi falënderues të bërë publik në rrjetet sociale, kanë shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin nga publiku dhe mënyrën sesi është pritur kënga e tyre "Zjerm".

Grupi shkruan se këto kanë qenë 13 ditë të pabesueshme, "të mbushura me lot gëzimi, përqafime, vlerësime dhe shumë dashuri nga publiku i gjerë".

"'Zjerm', kënga jonë e vogël, po fluturon tashmë kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm," shkruajnë dy artistët Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca.

Shkodra Elektronike nuk harron të falënderojë as ata të cilët i dhanë frymë magjisë së Festivalit, duke nisur nga drejtoresha e Festivalit, njëherësh zv.drejtoreshë e RTSH-së, Aurora Polo, drejtoreshën artistike Elhaida Danin, Orkestrën e RTSH-së, bashkëpunimin me Alfred Kaçinarin dhe Shpëtim Saraçin, Elton Dedën që udhëhoqi bandën artistike, autoren Zefina Hasani dhe regjisorin Redi Treni, gjithashtu edhe dyshen e moderatorëve Enkel Demi dhe Ornela Bregu. 

Fituesit e Fest 63 e mbyllin postimin e tyre me një mesazh inkurajues për muzikantët e rinj që të vazhdojnë të ëndërrojnë, të shkruajnë, të mos kenë frikë të shprehin talentin e tyre, por edhe të mos hezitojnë të marrin pjesë në Festivalin e Këngës shqiptare, e cila vlerëson në mënyrë profesionale secilin artist pjesëmarrës.

"Shkodra Elektronike" do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025, që këtë vit mbahet në Bazel të Zvicrës.

Edicioni 63 i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar pati një jehonë të madhe, ndërsa ka rritur pritshmëritë edhe për edicionin e ardhshëm.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/