“Gëzuar nga RTSH” është koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH dhe i zërave më të bukur të muzikës klasike vendase dhe botërore, që vjen në një mbrëmje gala për festën e Vitit të Ri.
Pjesët më të bukura të muzikës botërore, por edhe shqiptare, do të vijnë nën interpretimin e orkestrantëve virtuozë të Orkestrës, që drejtohet nga maestro Leonardo Kuadrini (o. Quadrini).
Tre tenorët, Vitali Kovalçuk (o. Vitaliy Kovalchuk) nga Ukraina, Granit Musliu nga Kosova dhe Rodrigo Trosino nga Meksika së bashku me sopranon Ramona Tullumani, do të përcjellin për publikun pjesët më të dëgjuara festive.
Surprizë për publikun në këtë koncert është prezantuesja e njohur ndër vite, Zerina Kuke, e cila rikthehet në Radio Televizionin Shqiptar nën moderimin e kësaj mbrëmjeje Gala.
"Më vjen mirë që Radio Televizioni Shqiptar vazhdon traditën e përgatitjes së Vitit të Ri. Eventi ku do të marr pjesë me Orkestrën Simfonike është shumë i bukur, me tre tenorë, një soprano. Kam nostalgji dhe mall për një ambient ku kam hyrë e kam dalë që kur kam qenë shumë e re," tha znj. Kuke.
Një moment i bukur i këtij koncerti është trupa e baletit e drejtuar nga koreografja Kozeta Bakiu.
"Ky është një event që bëhet për herë të parë. Unë me kolegun tim Milto Kutali marrim pjesë në event bashkë me studentët e koreografisë. Zgjodhëm dy gjëra pikante, njëri vals vjenez, dhe sigurisht shfrytëzuam ambientet e bukura që ka Radioja," u shpreh znj. Bakiu.
Surpriza e mbrëmjes do të jetë dhe performanca e violinistit Lorenc Radovani, që do të shoqërohet në fizarmonikë nga kompozitori i njohur Robert Radoja.
Koncerti "Gëzuar" do të vijë për teleshikuesit në datën 1 janar, ora 20:35 në RTSH 1.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/