Revista gjermane “Bild” i ka kushtuar një shkrim Shqipërisë duke e sugjeruar si një nga destinacionet që duhen vizituar gjatë 2025. Duke e konsideruar rivierën shqiptare si “kulmin e ri të Mesdheut”, “Bild” thekson se këtu të pasionuarit pas plazhit do të gjejnë gjire me ujë të kristaltë dhe jo shumë të populluar.
Pjesë e tërheqjes turistike në Shqipëri, janë edhe plazhet e fshehura, peizazhet mbresëlënëse malore apo objektet kulturore, që një turistë mund të shijojë gjatë pushimeve të tij
“Shqipëria nuk është më një këshillë sekrete, por në vitin 2025 do të bëhet një destinacion trend për kërkuesit e diellit dhe adhuruesit e plazhit. Uji i kristaltë, gjiret e vegjël dhe fshatrat simpatikë bregdetarë si Ksamili dhe Himara tërheqin vizitorët në Rivierën Shqiptare. Ndryshe nga rajonet e mbipopulluara të Mesdheut, ju ende mund të gjeni plazhe të izoluara dhe të shijoni natyrën këtu”, shkruan revista “Bild” për Shqipërinë.
Ky shkrim është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, ku thekson se është një promovim shumë i mirë për Shqipërinë turistike.
“Superpromovim ndërkombëtar mediatik nga tabloidi gjerman "Bild" që na rendit në krye të listës së destinacioneve për të udhëtuar gjatë këtij viti. 356 mijë vizitorë nga Gjermania kanë udhëtuar drejt Shqipërisë deri në nëntor, ndërsa po përgatitemi që gjatë muajit mars të prezantohemi si fytyra e ITB Berlin 2025, panairit më të madh në botë për turizmin”, shkruan Rama.
Në 2025, Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit në panairin më të madh të turizmit në botë, International Travel Trade Show (ITB) në Berlin. Ky prezantim do i japë edhe më shumë mundësi Shqipërisë për t’u njohur në botë si vend turistik.
/rtsh.al/