RTSH 24 Live

Aktualitet

Lezha në monitorim për murtajën afrikane, kujdes për mishrat e pakontrolluar

19 orë para

Lezha në monitorim për murtajën afrikane, kujdes për mishrat e pakontrolluar

Shërbimi Veterinar në Lezhë, i mbështetur edhe nga Policia e Shtetit, vijojnë kontrollet në akset rrugore, në mënyrë që të mbahet në monitorim tregtimi i derrave.

Katër grupe pune janë vendosur në akset që lidhin tregjet e kafshëve të Milotit në Kurbin dhe të Shelqetit në Shkodër.

Nga kontrolli i 56 mjeteve të transportit të kafshëve, shtatë prej tyre u kthyen në vendin e origjinës, pasi po transportonin derra.

Veterinerët kanë bërë edhe kontrolle në stalla, por asnjëra nuk ka rezultuar të jetë e prekur nga sëmundja.

"Ka raste të fshatarëve, të cilët mundohen ta shkelin, por me anë të patrullave policore, i kemi izoluar këto fenomene. Një apel kam për njësitë vendore, sidomos atë të Kurbinit, që të na mbështesin për lëvizjen e kafshëve në rrugën nacionale Milot–Laç," shprehet Ded Rama, përgjegjësi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Lezhë.

Zyrtari ka edhe një apel për konsumatorët.

"Mund të bëhen burim i përhapjes së sëmundjes. Duke blerë mish që nuk del nga ambiente frigoriferike, por nga tezgat. Gjithçka që del nga thertoret kalon në tre filtra dhe është shumë i sigurt për konsum," shton z. Rama.

Mbi 100 derra në Lezhë kanë ngordhur nga murtaja afrikane në dy vatra të ndryshme në Mal të Renxit dhe në Ishull-Lezhë, ndërsa prej dy javësh nuk ka pasur raste të reja.

/rtsh.al/