Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje akuzave se ulja e çmimit të energjisë elektrike për familjarët u bë me qëllime elektorale, para zgjedhjeve që pritet të mbahen më 11 maj.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama e mohon një gjë të tillë, teksa thekson se Partia Socialiste që ai drejton e ka gjithsesi të sigurt fitoren në garën elektorale të 11 majit.
Kryeministri thotë po ashtu se falë kësaj ulje të çmimit të energjisë, pensionistët do të kenë një pension minimal plus.
“Ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike, kemi mbajtur 1 dekadë çmimin 9.5 lekë që për shumicën dërrmuese ishte më i ulët se çmimi që gjetëm kur erdhëm në detyrë, 13.5 lekë. Çmimi jo vetëm që nuk është ulur në të gjithë botën, por është rritur në shumë vende pas agresionit rus. Kjo e jona është ulja e vetme në Europë e çmimit të energjisë elektrike për familjarët, të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Kush thotë që kjo është ulje elektorale e çmimit duhet ët më gjejë në tërë këto vite një veprim të kësaj natyre me karakter elektoral që të kem bërë për vota kundër logjikës ekonomike të vendit, ose një rast kur një masë pozitive që kemi marrë para zgjedhjeve ta kemi hequr pas zgjedhjeve. Nuk ka, sepse nuk ka ndodhur. Edhe diçka, kur unë nuk e ka bërë këtë më parë kur kisha edhe të tjerë në prehër do t’i bëj në prag të zgjedhjeve ku do të marrim fitoren që do të ketë notën 10 për nga diferenca me kundërshtarët. Llafet i merr era, për mua rëndësi ka fakti që, që nga muaji shkurt, mbi 1 mln konsumatorë familjarë do paguajnë më pak për dritat dhe pensionistët do të kenë një pension minimal plus nga kjo ulje e çmimit”, tha Rama.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi uljen e çmimit të energjisë elektrike nga 9.5 lekë për kilovat-orë në 8.5 lekë, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2025. Ky çmim i ri do të jetë i vlefshëm për konsumin deri në 700 kilovat, ndërsa mbi këtë kufi, çmimi do të mbetet 9.5 lekë për kilovat. Ky vendim do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2025.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike është vetëm për konsumatorët familjarë dhe jo për bizneset dhe institucionet.
/rtsh.al/