Një muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije këtë të enjte (9 janar) se ka filluar procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar si votues nga jashtë.
Ky proces do të zgjasë deri më datën 8 shkurt dhe vlen vetëm për ata persona të cilët janë regjistruar si votues jashtë territorit të Kosovës dhe kanë përcaktuar më herët mënyrën e votimit (duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës apo në kutinë postare të KQZ-së).
Ndërkaq, KQZ-ja ka bërë me dije gjithashtu se shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, do të duhet të votojnë më 8 shkurt 2025.
"Shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025. Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës", njofton KQZ.
Si duhet të votoni?
Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.
Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin
Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.
Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.
Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.
Pasi të plotësoni fletëvotimin:
Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.
Mos shkruani asgjë mbi zarf!
Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin
Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.
Brenda zarfit të dytë, vendosni:
Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.
Dëftesën e regjistrimit.
Mbi zarfin e dytë:
Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ-së).
Vendosni një pullë postare.
Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.
Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:
Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).
Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.
/rtsh.al/