RTSH 24 Live

Kosovë

Thaçi deklarohet i pafajshëm, mohon akuzat për pengim të drejtësisë

23 orë para

Thaçi deklarohet i pafajshëm, mohon akuzat për pengim të drejtësisë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë, njoftoi Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Këtë deklaratë Thaçi e bëri me shkrim një ditë më parë.

Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua me shkrim lidhur me fajësinë. Më 6 janar 2025 ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Ish-presidenti i Kosovës po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar për ndikim tek dëshmitarët lidhur me çështjen për të cilën është aktualisht në gjykim, për krime lufte.

Më 6 dhjetor 2024, Gjykata Speciale e konfirmoi aktakuzën kundër tij, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Në dhjetor, para Gjykatës së Hagës, ish-presidenti kërkoi të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Ish-presidenti Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim dhe po gjykohen për krime lufte.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/