Teatri Eksperimental është i pari teatër që do të nisë shfaqjet teatrale për vitin 2025 nga kjo e enjte.
Në skenë do të ngjiten dy shfaqje: “Lezetet e mëkatit bashkëshortor” për publikun e rritur dhe shfaqja "Një tigër në shtëpi" për vogëlushët.
Ky sezon do të rikthejë disa vepra të mëparshme, ndërsa premiera e parë do të jetë në fillim të muajit shkurt për t'i dhënë kohë bordit që të përzgjedhë premierat e reja.
"Dy shfaqjet e repertorit tonë i kemi huazuar nga viti 2024. Besoj në fillim të shkurtit do të dalim me një premierë të re për fëmijët. Kemi hapur thirrjet dhe jemi në procesin e pranimit të propozimeve që na vijnë nga regjisorë, dramaturgë, koreaografë për programimin e vitit 2025," shprehet Gjergj Prevazi, drejtori i Teatrit Eksperimental.
Teatri i Kukullave do të nisë shfaqjet nga kjo fundjavë, duke e çelur sezonin e ri me veprën shqiptare mbi legjendën e Rozafës.
Në teatrot e tjera, aktiviteti artistik për sezonin e ri do ta nisë pas javës së tretë të janarit.
Teatri "Metropol" do e nisë sezonin më 18 janar me rivënien e shfaqjes për fëmijë "Së prapthi", ndërsa për publikun e rritur do të vijojë shfaqja e Spiro Dunit, “Dhelprat e vogla”, e cila premierën e pati në fund të dhjetorit.
Tetari Kombëtar i Operës dhe Baletit, që pas shkarkimit të ish-drejtores Abigela Voshtina është nën udhëheqjen e drejtorit të komanduar Aulon Naçi, do të rikthehet në skenë me shfaqje në mesin e janarit, kur edhe do të prezantohet kalendari i ri artistik.
Po kështu do të jetë edhe për Teatrin Kombëtar, i cili rikthehet me rivënien në skenë të veprës "Turjela".
Ndërsa Muzeu Historik Kombëtar, që aktualisht është nën rikonstruksion, do të drejtohet nga Elenita Roshi, e njohur për kontributin e saj në fushën e kulturës.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/