RTSH 24 Live

Kulturë

"Noli dhe vepra e tij", ekspozitë në bibliotekën "Apostol Meksi"

24 orë para

"Noli dhe vepra e tij", ekspozitë në bibliotekën "Apostol Meksi"

Si njeri i letrave, jo vetëm ka shkruar, por edhe ka përkthyer nga zhanre të ndryshme.

Në një kënd të veçantë të bibliotekës "Apostol Meksi" në Gjirokastër, sot gjen të ekspozuar krijimtarinë letrare të poetit,historianit, diplomatit, të njohur shqiptar Fan Noli.

"... duke filluar nga botimet e tij të para, siç ishte drama 'Israilitë dhe filistinë', kryevepra 'Historia e Skënderbeut', duke vazhduar me vëllimin poetik 'Album'. Në këtë ekspozitë ne kemi paraqitur librat që janë përkthyer nga Noli, kryeveprat e letërsisë botërore, si Shekspirin, Servantesin, Khajamin, Molierin e shumë të tjerë," tregon Anila Babameto, punonjëse e bibliotekës.

Ekspozita vjen në kuadër të 143-vjetorit të lindjes së kësaj figure të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe do të jetë e çelur deri në fund të javës.

Me këtë ekspozitë ky institucion ka çelur kalendarin e aktivitetin për 2025-ën.

"Vepra e Nolit kanë qenë mjaft të tërhequra nga lexuesit, sidomos nga nxënësit e shkollave. Biblioteka jonë zhvillon gjithmonë ekspozita dhe aktivitete me nxënësit që ata t'i njohin më mirë këto figura të shquara të kulturës shqiptare," thotë znj. Babameto.

Noli gjithashtu ka kontribuar në fushën e publicistikës, si shkrues, redaktor dhe drejtues nëpër disa të përkohshme si “Dielli”, “Kombi” “Republika” etj.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/