Vaksina e gripit, e cila ka nisur të aplikohet që prej muajit tetor, ka rritur kërkesat jo vetëm nga personat e riskuar, por edhe në radhët e popullatës së shëndetshme.
Mjekja Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) thotë se ka një rritje të ndërgjegjësimit, sidomos pas festave të fundvitit.
"Vaksinat sivjet është katërvalente. Nëse nuk e keni kaluar gripin mund të sëmureni prej tij, të kaloni kovid-19 ose ndonjë virozë tjetër. Në qoftë se ato mbivendosen mirë është të mbroheni të paktën nga gripi sezonal. Vaksina e gripit ju mbron ndaj dy shtameve A dhe dy B, që ajo i ka brenda. Gripi që qarkullon momentalisht është i llojit A. Ne i kemi shpërndarë dozat në të gjitha qendrat shëndetësore, kudo nëpër vend. Është një vaksinë cilësore, ka kohë që përdoret dhe ka një virus të paaktivizuar, që futet në organizëm dhe krijon shumë shpejt antitrupa brenda dy javëve, ndërsa për 6 muaj je i mbrojtur ndaj gripit sezonal.
Kemi shpërndarë 280 mijë doza. 75 për qind e tyre janë aplikuar. Vazhdon të kemi edhe doza të tjera, por të kemi parasysh që pjesa më e madhe e personave me probleme kardiovaskulare, me diabet, me probleme të imunitetit e kanë aplikuar vaksinën, personat mbi 65 vjeç, mbi 50 për qind e personelit shëndetësor. Doza e parë bëhet në muajin tetor dhe një dozë e dytë aplikohet në muajin mars-prill për të pasur një mbrojtje të mirë të imunitetit në vazhdim," shprehet Dr. Daja.
Daja thotë se vaksina e gripit mund të aplikohet deri në muajin maj dhe rekomandohet edhe për fëmijët e vegjël, një prej grupmoshave më të prekura nga virozat aktuale.
"Unë i rekomandoj nënave të aplikojnë vaksinën ndaj gripit sezonal te fëmijët nga mosha 6 muaj e lart, sepse i mbron. Duke u mbrojtur fëmijët mbrohen edhe të rriturit.
Fëmija vaksinohet në moshën 2, 4 dhe 6-mujore. Nga mosha 6 muaj deri në 1 vjeç është një periudhë kur nuk aplikohen shumë vaksina, por mund të aplikohet ajo ndaj gripit sezonal. Në moshën 1 vjeç aplikohet edhe vaksina e fruth-rubeolë-parotitit. Nuk ka asnjë problem nëse ajo aplikohet pas vaksinës së gripit," tregon mjekja.
ISHP-ja sqaron se vaksina redukton rrezikun për gjendje të rënda shëndetësore, siç mund të jenë shtrimet në spital deri në humbje jete.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/