Përdorimi i antibiotikëve tek fëmijët pa konsultën e specialistit sjell pasoja në shëndet.
Doktoresha pediatre, në Spitalin e Elbasanit, Irena Palloshi, thotë se ka një keqinformim të përgjithshëm në lidhje me përdorimin e antibiotikëve, llojin e tyre, dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit.
"Sugjerojmë që prindërit të mos shkojnë vetë në farmaci dhe të blejnë çfarëdolloj ilaçi që i thotë interneti apo komshia apo shoqja. Si mjekë, në radhë të parë sugjerohet të ulet temperatura, nëse është një situatë bakteriale, bronkopneumoni ose diçka që kërkon antibiotik patjetër ta japim antibiotikun dhe u sugjerojmë prindërve ta përdorin për aq ditë sa mjeku e ka përshkruar në recetë," tregon Dr. Palloshi.
Këshilla me thelbësore sipas specialistëve të shëndetit është që asnjëherë prindërit të mos nisin antibiotikë pa u konsultuar paraprakisht.
"Jo gjithmonë të shkojmë te antibiotikët. Situatat virale asnjëherë s'përdorim antibiotikë. Të kemi kujdes me rihidrimin e fëmijës, me pastrimin e hundëve, me dhënien e një çaji të ngrohtë. U tërheqim vëmendjen prindërve: ju lutem mos përdorni pije energjike!" shton mjekja mediatre.
Studimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i bërë në 14 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ka faktuar se antibiotikët po keqpërdoren.
Një anketë me 525 persona në vendin tonë referoi se gjysma e tyre kishin përdorur antibiotik vitin e fundit, shifër kjo mbi mesataren e grupit të vendeve anëtare te BE-së. Nga personat që kishin përdorur antibiotik, 15 për qind e kishin blerë në farmaci pa recetën e mjekut, ndërsa 1 për qind e kishin marrë antibiotikun referuar recetave të mëparshme.
Në këto kushte, edhe ekspertët e shëndetësisë kanë bërë me dije se zhvillimi dhe përhapja e superbaktereve po përshpejtohet nga keqpërdorimi i antibiotikëve.
/rtsh.al/