Shtesa mujore mbi pensionin e invaliditetit prej datës 1 janar do të paguhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe personat që e përfitojnë do ta tërheqin bashkë me masën e pensionit në pikat postare ose në bankat e nivelit të dytë.
Lajmi bëhet me dije nga specialisti Riza Ashimi
"Duke filluar nga 1 janari 2025 e në vazhdim, të gjithë që përfitojnë do të paguhen nga Sigurimet Shoqërore. Ata do të jenë pjesë e masës së pensionit dhe do të gjenerohen bashkë me pensionin, me këstin mujor të muajit përkatës," thotë Riza Ashimi, specialist në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë.
Ai bën të ditur se pagesat sipas kategorisë të pensionit, do të merren me rritje.
"Shtesa mbi pensionin e invaliditetit do të indeksohet në nivelin 4,1 për qind. Duke filluar nga 1 janari 2025 të gjitha pensionet e invaliditetit të plotë do të marrin 3.435 lekë/muaj, përveç masës së pensionit. Pensionet e invaliditetit të pjesshëm do të përfitojnë 2.290 lekë/muaj. Pensionet e invaliditetit, kur është humbur plotësisht aftësia për punë për shkak të një aksidenti në punë do të përfitojnë 4.164 lekë, ndërsa gjithë pensionet e invaliditetit në punë kur është humbur pjesërisht aftësia për punë për shkak të një aksidenti në punë do të përfitojnë 2.811 lekë," shpjegon z. Ashimi.
Në Qarkun e Korçës janë 5469 persona që përfitojnë pension invaliditeti
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/