RTSH 24 Live

Aktualitet

Rasti Majko - Kur përgjon SHISH? Juristi shpjegon kompetencat e Shërbimit Informativ

10 orë para

Rasti Majko - Kur përgjon SHISH? Juristi shpjegon kompetencat e Shërbimit Informativ

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ i Shtetit (SHISH) duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e kryedemokratit Sali Berisha se SHISH-i e ka përgjuar.

Juristi Edmond Petraj ka sqaruar për RTSH-në rastet kur SHISH-i vihet në lëvizje dhe merr nën përgjim një person.

"Në ligjin e posaçëm të Shërbimit Informativ Kombëtar ka disa detyra kryesore për institucionin. Në qoftë bëhen hetime jashtë natyrës së vet, kemi mbivendosje me institucionet e tjera, me strukturat hetimore, sidomos me Strukturën e Posaçme apo prokuroritë e rretheve. Gjithmonë duhet të ketë një indicie për spiunazh, terrorizëm dhe grupe të strukturuara kriminale, që janë në bashkëpunim, që cenojnë integritetin territorial të Shqipërisë," shpjegon z. Petraj.

Petraj shpjegon se përgjimi i një deputeti nga një agjent i SHISH-it përbën vepër penale kur kryhet pa urdhrin e gjykatës.

"Nuk mund të futet SHISH-i të përgjojë një deputet nëse nuk ka indicie që ai kryen veprimtari, që cenon integritetin territorial shqiptar ose sigurinë kombëtare. Nëse punonjësi i SHISH-it përzihet në raste të tilla kjo është shpërdorim detyre dhe quhet vepër penale," thotë juristi.

Po ashtu juristi shton që përgjimet e paautorizuara nuk mund të përdoren si prova dhe ky debat bëhet "vetëm për qëllime elektorale".

"Këtë marrëdhënie e shoh si një betejë paraelektorale për t'iu shmangur dhe për të futur sa më shumë institucione në lojë, të cilat po kushtëzojnë humbjen e opozitës," shprehet juristi Petraj.

Më 6 janar, në një konferencë për mediet, ish-kryeministri Berisha deklaroi se deputeti Majko është regjistruar me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ dhe regjistruesi ishte vendosur në tavolinën ku ai po zhvillonte një bisedë.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/