Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në takim ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay. Gjatë takimit, Proda dhe ambasadori turk vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese të Turqisë dhe me ambasadën e Turqisë në Tiranë, si dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Drejtor Proda ka shprehur falënderim, në veçanti, për bashkëpunimin për kapjen në Turqi të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi, dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”, tha Proda.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri garantoi Prodën se ambasada e Turqisë në Tiranë është e angazhuar për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Policia turke.
/rtsh.al/