Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për KosovaPress tha se nuk do të jetë i nevojshëm një koalicion paszgjedhor pas procesit elektoral të 9 shkurtit.
“Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, theksoi Kurti.
Kreu i qeverisë u shpreh se në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon me listë të përbashkët me partinë “Guxo” dhe “Alternativa”, ndërsa pret që partia e tij të tejkalojë rezultatin e vitit 2021. Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti tha se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të atyre bisedimeve.
“Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike, neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, le të adresohet aty dhe neni 10 flet edhe për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën e të cilat janë ligjërisht të obligueshme. Tash, Nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi", shtoi ai.
Lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, Kurti tha se nuk pritet që Beogradi zyrtar të tregojë konstruktivitet.
“Duhet ta presim përfaqësuesen e re të lartë, zëvendëspresidenten Kaja Kallas dhe iniciativën e saj për rrugën përpara. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi", tha Kurti.
Ndërkaq lidhur me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti tha se nuk mund të jap datë se kur mund të merret një vendim i tillë.