RTSH 24 Live

Ekonomi

Shtyhet deri në 2028 afati për kompensimin e ish-pronarëve, Manja: Janë 7.110 dosje

11 orë para

Shtyhet deri në 2028 afati për kompensimin e ish-pronarëve, Manja: Janë 7.110 dosje

Qeveria ka marrë vendim për disa ndryshime në ligjin për kompensimin e ish-pronarëve.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka bërë me dije se është shtyrë afati për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve deri në dhjetor të vitit 2027, ndërsa afati për kompensimin e tyre në vlerë financiare do të shtyhet deri në dhjetor të vitit 2028.

Manja sqaroi se në planin afatmesëm është parashikuar një vlerë prej 3 miliardë lekësh deri në vitin 2025 për kompensimin e ish-pronarëve, 5.3 miliardë lekësh për vitet 2026–2027 dhe përvitin 2028 një vlerë prej mbi 7 miliardë lekësh për masën e kompensimit.

Me ndryshimin në ligjin 133/2015 për kompensimin e ish-pronarëve, shqyrtimi dhe vlerësimi i dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, afati mbaronte në dhjetor të 2024-ës, por ne kemi vendosur të ndryshojmë ligjin, duke e çuar afatin për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të pa trajtuara të ish-pronarëve deri në dhjetor 2027, ndërsa afati i kompensimit në vlerë do shtyhet deri në dhjetor 2028.

Dy ndryshime shumë të rëndësishme. Janë 7.110 dosje të patrajtuara të ish-pronarëve dhe deri në 2028 do të kompensohen në vlerë financiare një numër i konsiderueshëm ish-pronarësh. Në afatmesëm kemi parashikuar 3 miliardë lekë deri në 2025 për kompensimin e ish-pronarëve, 2026-2027 5.3 miliardë lekë dhe për vitin 2028, masa e kompensimit do jetë rreth 7,63 miliardë lekë. Lajm i mirë për ish-pronarët”, deklaroi Manja.

/rtsh.al/