Shqiptarët kanë kursyer më shumë lekë gjatë vitit që lamë pas.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet në monedhën vendase kanë pësuar rritje gjatë muajve të fundit të vitit 2024.
Eksperti i ekonomisë dhe njëherazi drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se një nga shkaqet është qëndrueshmëria e lekut kundrejt euros.
"Leku shqiptar prej një periudhe 3–4-vjeçare është i mbiçmuar në raport me monedhën europiane, çka do të thotë që fluksi i hyrjeve monetare në euro është më i madh sesa mund të absorbojë ekonomia jonë, pra ka një ofertë të shtuar të kësaj monedhe," shprehet z. Preçi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se depozitat në lekë janë shtuar me mbi 2,4 miliardë lekë gjatë muajit nëntor.
Ky është muaji i dytë, i cili rezulton me një rritje të theksuar të kursimeve në lekë, duke shkuar në rreth 795 miliardë lekë nga 790 miliardë lekë gjatë tetorit, me një rritje 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 0,5 për qind me tetorin.
Një arsye tjetër sipas Preçit, përveç faktorit psikologjik, është edhe rritja e turizmit në vend.
"Jetojmë në një periudhë ku pleksen shumë faktorë formale e informalë. Njëkohësisht ka efektin e vet edhe turizmi në shtimin e monedhës euro. Bankat janë të interesuara, për shkak të situatës, të pranojnë me përparësi monedhën kombëtare shqiptare," thotë z. Preçi.
Për sa i përket depozitave në euro, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pësuan një ulje me të paktën 21 milionë euro gjatë muajit nëntor.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 stoku total i depozitave ka tregues rritës, duke shkuar në 1,33 trilion lekë.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/