Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka deklaruar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Të mërkurën (8 janar) ai bëri me dije se duhet t’i hapet rruga të rinjve, ndërsa shtoi se do të vazhdojë të kontribuojë në çdo qark, ku PAA-ja do të ketë kandidatë për deputetë.
Duka zbuloi se po negocion me demokratët që kjo parti të ketë të paktën dy zona të sigurta në listën e kandidatëve.
“Unë e kam thënë. Unë nuk kandidoj më për Parlament. T’i hapet rruga të rinjve. Do kemi në çdo qark nga një kandidat. Negociatat akoma nuk kanë mbaruar. Jemi drejt procesit të dakordësimit. Nuk do ketë asnjë lloj problemi. Ne do dalim së bashku me opozitën”, deklaroi Duka.
Ish-ministri dha mesazhin se ndarja e dëmton shumë koalicionin e bashkuar opozitar. Sipas kalkulimit të tij, parti të reja të dala nga Partia Demokratike nuk do të sigurojnë as votat e mjaftueshme që të sigurojnë qoftë edhe një mandat deputeti.
Synimi i ambientalistëve, sipas Dukës, është që të marrin 40 mijë vota në të gjithë vendin.
“Synimi ynë është të kemi 40 mijë vota në të gjithë vendin. Unë besoj që kodi zgjedhor dikton për rezultat pozitiv që partitë të cilat janë për të njëjtin qëllim, në rastin konkret partitë opozitare të jenë Brenda një koalicioni. Çdo lloj ndarje e dëmton sepse mund të ndodhë që partitë të cilat kanë dalë nga PD mund të marrin vota djathtas por nuk e konvertojnë deputet. Sepse kodi është në 12 qarqe që relativisht duhen 10 mijë vota për qark. Në këtë rast përfiton kundërshtari politik.
Nëse këto vota kthehen në mandate, nuk ka dëm të madh. Sepse një ndër to që është z. [Agron] Shehaj dhe [Dashamir] Shehi, nuk besoj kurrë se ata mund të bashkojnë votat me mazhorancën. Por duke pasur këtë lloj frike që mund të copëzohen votat dhe nuk arrijnë ti përkthejnë në mandate, dëmi është i madh. Unë mendoj se mund të ketë rezultat pozitiv, sepse partitë opozitare janë në aleancë me PD dhe duke u futur në listë, shumatorja e këtyre partive mund të konvertohet në mandate deputetësh. Nuk janë pak, sepse FRD në Durrës ka influencë në vota. Nëse numri i votave mund të jetë 2-3 mijë është numri i konsiderueshëm për të ndikuar pozitivisht për ti shtuar numrin e mandateve opozitës”, deklaroi Duka.
Gazetare: j.k. / Anisa Kadesha
/rtsh.al/