RTSH 24 Live

Politikë

Regjistrimi i votuesve nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit, KQZ cakton detyrat dhe përgjegjësitë e auditëve

15 orë para

Regjistrimi i votuesve nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit, KQZ cakton detyrat dhe përgjegjësitë e auditëve

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike caktoi detyrat dhe përgjegjësitë e auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve të realizuara nga KQZ-ja, për regjistrimin e shtetasve që votojnë nga vendit, për zgjedhjet që pritet të mbahen më 11 maj. 

Dy auditët teknicienë të emëruar do të kryejnë auditimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), auditimin e arkitekturës së sistemit dhe bazës së të dhënave, auditimin e procesit të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, testimin e integritetit të sistemit, verifikimin e performancës së sistemit, gjurmimin dhe auditimin e ndryshimeve në të dhëna, e të tjerë.

Auditët teknicienë do të përgatisin raport me gjetjet dhe më pas do të japin rekomandime për përmirësime, do të propozojnë masa korrigjuese për çdo problem të identifikuar, si dhe do të përgatisin një plan veprimi për të adresuar dobësitë dhe për të përmirësuar sigurinë dhe saktësinë e sistemit.

Po ashtu, sot u caktua edhe struktura dhe masa e shpërblimit për administratën zgjedhore, si dhe u miratua formati dhe specifikimet e vulës së Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor, të vulës së Komisionit të Qendrës së Votimit, vulës së Kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe të vulës rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit, për zgjedhjet e 11 majit.

Gjithashtu, u plotësuan vakancat në 6 këshillat bashkiak:

Këshilli i Bashkisë Fier, me kandidatin e Partisë Socialdemokrate, zj. Alesia Koroveshi. 

Këshilli i Bashkisë Kukës, me kandidatin e Partisë Bindja Demokratike, z. Rustem Ahmetaj.

Këshilli i Bashkisë Pukë, me kandidatin e Partisë Socialdemokrate, zj. Leze Kolaj.

Këshilli i Bashkisë Kamëz, me kandidatin e Partisë Republikane Shqiptare, zj. Albana Xhika. 

Këshilli i Bashkisë Kamëz, me kandidatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Sajmir Kurti.

Këshilli i Bashkisë Tiranë, me kandidatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Sead Kazanxhiu. 

Këshilli i Bashkisë Vorë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Elisabeta Vehbi Haka”.

/rtsh.al/