RTSH 24 Live

Aktualitet

Reshjet në Gjirokastër rrëzojnë inerte në aksin Tepelenë–Kurvelesh–Vlorë

18 orë para

Reshjet në Gjirokastër rrëzojnë inerte në aksin Tepelenë–Kurvelesh–Vlorë

Reshjet e 24 orëve të fundit në territorin e qarkut të Gjirokastrës, të cilat ende vijojnë, nuk kanë shkaktuar problematika madhore.

Lumenjtë Vjosa, Drino dhe degët që furnizojnë këta lumenj janë brenda shtretërve të tyre.

Reshjet e shumta gjatë 12 orëve kanë krijuar probleme për sa i përket akseve rrugore rurale Tepelenë–Kurvelesh–Vlorë, ndërsa afër fshatit Bënçë ka pasur rënie inertesh dhe pemësh.

"Ditët e fundit kemi pasur kryesisht probleme në lidhje me rrëshqitjet në trupin e rrugës dhe të skarpateve të rrugës, si dhe probleme të vogla nga rrëketë e ujit. Nuk kemi pasur asnjë bllokim të akseve rrugore nacionale në qarkun e Gjirokastrës, por problematika të vogla, pastrimet e të cilave janë realizuar nga firmat kontraktore. Në aksin Kardhiq–Delvinë, si rezultat i projektit që po aplikohet për mbrojtjen e skarpateve të rrugës, është minimizuar shumë problemi i dherave nga vitet e kaluara," shprehet inxhinieri i ARRSH-së, Aristotel Noni.

Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në këtë qark vijon normalisht dhe pa probleme.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/