RTSH 24 Live

Aktualitet

Gatishmëri për të shmangur problematikat në rrugët rurale në Kukës

11 orë para

Gatishmëri për të shmangur problematikat në rrugët rurale në Kukës

Reshjet e shiut dhe të dëborës, kryesisht në verilindje, krijojnë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Për sa i përket situatës aktuale, kreu i Drejtorisë së Rrugëve Rurale, Albert Iseberi, tregon se janë evidentuar problemet në këto rrugë, ku është mundësuar ndërhyrja në kohë rekord, duke bërë që të jenë të kalueshme pa probleme.

"Situata në rrugët rurale është shumë e favorshme për këtë periudhë. Kemi qenë në gatishmëri të banorëve me gjithë stafin, me makineri, me teknikën," thotë z. Iseberi.

Më së shumti në këto rrugë shfaqet shkarja e dherave dhe rënia e gurëve, ku nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga drejtoria përkatëse.

"Shembja e masivëve të mëdhenj ka qenë problematikë kryesore në aksin rrugor Cernalevë–Oreshkë. Kemi punuar dy ditë që ta bëjmë të kalueshme, por banorët nuk kanë qenë të bllokuar, se ka pasur rrugë alternative," deklaron drejtori.

Për sa i përket vijimësisë së këtij muaji, ku pritet të ketë reshje, z. Iseberi bën me dije se janë në gatishmëri dhe koherentë në çdo kohë për ndonjë problem që mund të shfaqet në këto segmente.

"Gjatë kësaj periudhe kemi ndërhyrë në njësinë administrative Zapod, në gjithë rrugët kryesore, gjithashtu edhe në njësinë Shishtavec," shton z. Iseberi.

Për periudhën e dimrit, kryesisht për zonat malore që janë me terren më të vështirë janë siguruar 85 tonë kripë nga ana e kësaj drejtorie për të shmangur incidentet nga ngricat e dëbora.

/rtsh.al/