Një ditë pas vendimit të ERE për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lekë, Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook një video me anë të së cilës pasqyron transformimin epokal sikurse e ka konsideruar ai, të sektorit energjetik që nga 2013-ta.
Rama deklaron se Shqipëria ka qenë një vrimë e zezë në mes të Europës, por tashmë është një prej vendeve prodhuese më të mëdha të energjisë diellore në rajon, ndërsa premton kthimin e vendit në eksportuesin neto të energjisë brenda mandatit të katërt.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjitik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuara e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
/rtsh.al/