RTSH 24 Live

Aktualitet

24 kursantë finalizojnë Kursin e 20-të Bazë "Komando"

17 orë para

24 kursantë finalizojnë Kursin e 20-të Bazë "Komando"

Kursin e 20-të Bazë "Komando" e finalizuan 24 efektivë.

Pas 14 javësh stërvitje, për ushtarakët, mes tyre edhe 8 efektivë nga Kosova, u zhvillua një ceremoni, ku u shpërndanë bereta në mënyrë simbolike.

Në ceremoni, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vuri theksin në të ardhmen e vendeve Shqipëri–Kosovë, që ai i cilësoi trungu i përbashkët i aleancës NATO.

"Ndjenja e vetëmohimit dhe dashuria që keni për këtë uniformë nuk kam dyshim që ju ka shtyrë të nisni këtë kurs intensiv, ku nuk vihet në provë vetëm ngarkesa fizike, sepse një peshë po aq të madhe ka edhe ajo mendore e profesionale. Ju sot jeni pararojë e forcave tona ushtarake dhe nuk mund veçse të jem i lumtur që keni zgjedhur të hidhni një hap edhe më të madh e dinjitoz për ju, për ne dhe për Forcat e Armatosura," u shpreh ministri Vengu.

Ceremonia e betimit të ushtarakëve të kursit komando, për herë të parë i finalizuar edhe nga dy vajza, u zhvillua në regjimentin e operacioneve speciale në Zall-Herr, ku kursantët demonstruan goditje objekti, infiltrim nga ajri dhe toka, qitje me pengesa e luftim trup më trup.

/rtsh.al/