Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve, të cilët jetojnë jashtë vendit, të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Rama theksoi se regjistrimi është i detyrueshëm për ata që dëshirojnë të votojnë dhe se afati përfundimtar është deri më 4 mars 2025.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se regjistrimi mund të bëhet lehtësisht në portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në adresën www.kqz.gov.al.
Kryeministri u kërkoi shqiptarëve në diasporë të mos e shtyjnë regjistrimin, pasi koha është e kufizuar dhe ka vetëm 46 ditë për të përfunduar këtë proces.
“Zgjedhjet janë më 11 maj por shqiptarët nga jashtë Shqipërisë që të votojnë duhet të regjistrohen nga tani deri më 4 mars, ndryshe nuk votoni dot. Regjistrimi bëhet në www.kqz.gov.al, është një proces i lehtë por duhet disa minuta. Mos e shtyni se koha fluturon dhe do të votojnë vetëm ata që do të regjistrohen deri më 4 mars, ka vetëm 46 dite kohë”, tha tha Rama në rrjetet sociale .
Për ata që regjistrohen, fletëvotimi do të dërgohet me postë dhe do të mund të plotësohet dhe rikthehet, me shpenzimet e dërgesës të mbuluara nga qeveria.
Rama inkurajoi shqiptarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të kontribuar në ngritjen e emrit dhe respektit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“KQZ do t’ju dërgoj fletën e votimit me postë dhe ju ta plotësoni dhe ta riktheni dhe qeveria do të paguajë edhe për kthimin e votës tuaj me postë. Votoni që ta ngremë edhe më lart respektin për emrin e Shqipërisë kudo që ju jetoni. Ju e dini se kush e përmbysi emrin e keq të vendit dhe jua ngriti kokën e ulur në shumë e shumë vite dhe nuk do e keni të vështirë këtë pjesë të mendimit se për këtë duhet të votoni, por më parë duhet të regjistroheni dhe koha nuk pret”, tha kryeministri Edi Rama.
/rtsh.al/