RTSH 24 Live

Botë

Gjykata e Lartë në SHBA miraton ndalimin e TikTok

7 orë para

Gjykata e Lartë në SHBA miraton ndalimin e TikTok

Gjykata e Lartë e SHBA ka vendosur të ndalojë përdorimin e aplikacionit TikTok, duke e bërë këtë vendim të vlefshëm nga e diela, 19 janar. Ky hap erdhi pas paralajmërimeve nga administrata Biden, e cila e ka cilësuar TikTok si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare për shkak të lidhjeve të tij me Kinën.

Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se, për 170 milionë amerikanë, TikTok ofron një mundësi për komunikim dhe angazhim social, por Kongresi ka vendosur që ndalimi i aplikacionit është i nevojshëm për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare. Ky shqetësim lidhet me praktikat e TikTok për mbledhjen e të dhënave personale dhe mundësinë e manipulimit të informacionit nga një shtet armiqësor.

“Kongresi ka përcaktuar se ndalimi është i nevojshëm për të adresuar shqetësimet e tij të sigurisë kombëtare të mbështetura mirë në lidhje me praktikat e mbledhjes së të dhënave të TikTok dhe marrëdhëniet me një kundërshtar të huaj”, thuhet në vendimin e gjykatës

Vendimi u miratua njëzëri nga të 9 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pritet që ai të zbatohet pas betimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, më 20 janar. Megjithatë, është e mundur që Trump, i cili ka shprehur mbështetje për TikTok në të kaluarën, ta shpëtojë platformën, pavarësisht se ai kishte kërkuar ndalimin e saj gjatë mandatit të tij të kaluar.

Nga ana tjetër, autoritetet kineze kanë kundërshtuar këto akuza, duke argumentuar se sulmet ndaj TikTok janë të motivuara politikisht dhe se përdoruesit perëndimorë mund të kalojnë lehtësisht në platforma të tjera si Facebook ose X, që ofrojnë funksione të ngjashme.

/rtsh.al/