Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka shprehur shqetësime të mëdha lidhur me propozimet e Donald Trump për rritjen e tarifave dhe kufizimin e imigracionit, duke theksuar se këto masa mund të shkaktojnë një shtrëngim të ofertës në ekonominë amerikane dhe të rrisin çmimet, duke sjellë inflacion. FMN paralajmëron se edhe nëse këto politika kanë ndikim negativ në pjesën tjetër të botës, ato mund të kthehen si një bumerang për SHBA-në, duke dëmtuar ekonominë amerikane në afat të gjatë.
Shumë ekonomistë konsiderojnë se planet e Trump për tarifat dhe kufizimin e imigracionit janë inflacioniste, pasi ato mund të rrisin koston e mallrave dhe shërbimeve. Megjithatë, Trump dhe këshilltarët e tij janë mbrojtur duke thënë se këto masa do të ndihmojnë në kontrollimin e çmimeve, duke promovuar rritjen ekonomike dhe ruajtjen e vendeve të punës në SHBA.
Pas marrjes së mandatit të dytë, Trump filloi një luftë tregtare me Kinën dhe tha se do të vendos tarifa edhe ndaj Bashkimit Evropian, duke tensionuar marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare.
Në prag të zgjedhjeve, Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë ndaj vendeve si Kina, Meksika dhe Kanada, si dhe ka propozuar një tarifë globale prej 10% për importet, një tarifë 25% për ato nga Kanadaja dhe Meksika dhe një tarifë 60% për produktet kineze. Përveç kësaj, Trump ka kërcënuar me tarifa të forta për vendet BRICS nëse ato krijojnë një monedhë të re që mund të sfidojë dominimin e dollarit amerikan.
Në Evropë, veçanërisht, këto masa shkaktojnë shqetësime të mëdha, pasi shumë shtete të BE-së kanë një lidhje të ngushtë tregtare me SHBA-në, duke eksportuar mallra dhe produkte të ndryshme. Tarifat e larta do t’i bënin këto produkte më të shtrenjta dhe do të ulte konkurrencën e ekonomive të huaja në tregun amerikan.
FMN ka theksuar se, megjithë përfitimet afatshkurtra për ekonominë amerikane, këto masa mund të shkaktojnë një rritje të inflacionit, që në fund mund të dëmtojë fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe të çojë në një rënie të rritjes ekonomike. Në një skenar të tillë, FMN paralajmëron se mund të ndodhin pasiguri të mëdha, duke minuar besimin në obligacionet amerikane si një strehë e sigurt globale.
/rtsh.al/