Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për shfuqizimin e disa vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Lartë, që lidhen me masat e sigurimit personal “arrest shtëpie” dhe procedurat e ndjekjes ndaj tij. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe argumenteve të palëve, Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se kërkesa e Berishës nuk është e bazuar.
Berisha kishte pretenduar se procesi i autorizimit të arrestit shtëpiak nga Kuvendi nuk ishte i drejtë, por Gjykata e ka vlerësuar këtë pretendim si të pabazuar. Po ashtu, Gjykata ka theksuar se procesi gjyqësor ka respektuar të drejtat e mbrojtjes dhe paanshmërinë. Ajo ka konkluduar se masa e "arrestit në shtëpi" është e nevojshme dhe proporcionale për të siguruar zhvillimin e procedurës ligjore.
“Gjykata vlerësoi se: 1.Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar 2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale, të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur, Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial. Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë”, thuhet në vendim.
Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
“Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sali Berisha ankimoi vendimin e SPAK në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi të shpallej antikushtetuese masa ndaj tij për “arrestin shtëpiak”. Berisha qëndroi në “arrest shtëpie” për rreth një vit, lidhur me hetimet ndaj tij për dosjen e ish-kompleksit Partizani. Në 27 nëntor 2024, GJKKO vendosi zëvendësimin e masës “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” ndaj Sali Berishës.
/rtsh.al/