Testet-model të Maturës Shtetërore 2025, të publikuara që në fillim të janarit, kanë tërhequr vëmendjen e maturantëve.
Ata shprehen se testet janë të një niveli mesatar, me ushtrime dhe pyetje që i kanë punuar gjatë viteve shkollore.
Sipas tyre, testet janë të përshtatshme për përgatitjen e provimeve, duke vënë theksin dhe tek periudha e konsultimeve.
"I kemi punuar ndër vite dhe sapo doli teza filluam ta punonim me mësuesen e lëndës. / Duke qenë se jam nxënës i apasionuar pas matematikës dhe shkencave ekzakte, reagimi im i parë ishte t'i punoja ushtrimet. Vura re që nuk ishin ushtrime të vështira, por i kishim punuar gjatë viteve," shprehen dy nxënës.
Një tjetër aspekt që është vlerësuar pozitivisht nga maturantët është publikimi i këtyre testeve që në fillim të vitit.
Testet-model përfshijnë një gamë të gjerë lëndësh dhe janë të disponueshme në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, duke u dhënë maturantëve mundësinë të kenë akses në materialet e nevojshme për përgatitje.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/