Oficerë dhe pedagogë të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura vizituan të premten (17 janar) ambientet e Radio Televizionit Shqiptar.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me rolin e medies dhe të komunikimit publik, si dhe mënyrat sesi RTSH-ja po përshtatet me zhvillimet e reja në vend.
“Për mua është hera e parë që vij në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Është një emocion dhe një kënaqësi, pasi i gjithë brezi im, unë vetë jam rritur me programet dhe emisionet e RTSH-së”, u shpreh major Eraldi Meçe.
“Për mua ishte një vizitë shumë e domosdoshme për sa i përket vitit akademik të komunikimit me media. RTSH është një televizion publik që i shërben të gjithë vendit”, tha majore Eglantina Muka.
“Është një moment shumë i veçantë, pasi është një pjesë që ka lënë gjurmë në rritjen tonë”, tha major Oralt Toska.
“Shumë faleminderit për atë që na servirni në televizion kur qëndrojmë në shtëpi”, vlerësoi major Endrit Cengu.
Oficerët me gradën Major të Kursit të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm u mirëpritën nga stafi i RTSH-së, i cili prezantoi proceset e përditshme të punës që sigurojnë informimin e saktë dhe cilësor të publikut.
“Ju falënderoj për mundësinë që u dhatë studentëve që ta prekin me dorë këtë ambient dhe të marrin njohuritë që ne jua japim me teori në sallat e leksioneve. Kjo vizitë i ndihmon ta gërshetojnë edhe me praktikën”, u shpreh gjenerali i brigadës, Ylli Pulaj.
Përgjatë vizitës, u zhvilluan diskutime mbi rolin e medias në shoqëri, marrëdhëniet me publikun dhe rëndësinë e komunikimit të mirëorganizuar në nivel institucional.
Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të eksplorojnë më thellë mënyrat e modernizimit të komunikimit publik dhe rolin kyç që luan RTSH-ja si institucioni më i rëndësishëm audioviziv publik në Shqipëri.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/