RTSH 24 Live

Botë

Scholz: Musk është një rrezik për demokracinë në Europë

4 orë para

Scholz: Musk është një rrezik për demokracinë në Europë

Miqësia e miliarderit të teknologjisë Elon Musk me të djathtën ekstreme "rrezikon" demokracinë në Europë. Kështu u shpreh kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili shtoi se “Musk mbështet të djathtën ekstreme kudo në Europë, dhe kjo është diçka që është krejtësisht e papranueshme”.

“Kjo rrezikon zhvillimin demokratik të Europës, rrezikon komunitetin tonë dhe duhet dënuar”, shtoi lideri gjerman gjatë një konference në Berlin.

Scholz tha se nuk është kundër që Musk të shprehë fjalën e tij të lirë, por shtoi se “lidhja e tij me të djathtën ekstreme, qoftë për interesa biznesi apo për arsye politike janë të papranueshme".

Këto komente vijnë pas deklaratës së Elon Musk, i cili e ka quajtur Scholz një "budalla" dhe ka pretenduar se ai do të "humbë" zgjedhjet federale gjermane.

Musk ka mbajtur anën e figurave të së djathtës ekstreme në mbarë botën, duke përfshirë mbështetjen e Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme federale të vendit, të cilat janë caktuar për më 23 shkurt.

/rtsh.al/