Ministri i Jashtëm Igli Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare në Kiev ku do të rikonfirmojë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës e cila prej afro 3 vitesh po përballet me agresionin rus.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Hasani bën me dije se gjatë takimeve që do të zhvillojë me zyrtarët ukrainas, do të përcjellë edhe njëherë admirimin për forcën dhe vendosmërinë e qeverisë dhe popullit ukrainas në përkushtimin e tyre.
Hasani deklaron se ndërkombëtarët duhet të vijojnë ofrimin e mbështetjes politike, diplomatike e humanitare ndaj Ukrainës.
“Sapo mbërrita në Kiev për një vizitë pune me kolegë nga Evropa Juglindore, në një qytet që është bërë një simbol i fuqishëm i qëndresës, guximit dhe shpirtit të pamposhtur të një kombi që lufton për lirinë e tij.
Do të rikonfirmoj mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do të përcjell admirimin tonë të thellë për forcën dhe vendosmërinë e qeverisë dhe popullit ukrainas në përkushtimin e tyre.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fuqishme politike, diplomatike dhe humanitare për Ukrainën, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar të japim kontributin tonë në këtë mision jetik”, shkruan Hasani.
/rtsh.al/