Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin rrëzoi propozimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, për ndryshimin e rregullores që deputetët të vetëdeklarojnë nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacionit “Sky Ecc” dhe EncroChat.
"Do duhet t'i mbështesim duke i lehtësuar punën, pra duke vetëdeklaruar nëse kemi qenë përdorues të këtyre aplikacioneve që hetimet të mos zgjasin në pritje të rezultateve se kush është njëri e tjetri, por mbi të gjitha duhet të ndajmë atë pjesë të Kuvendit që nuk ka përdorur aplikacione të tilla," u shpreh z. Bardhi.
Projektvendimi u rrëzua poshtë nga socialistët me votë, por kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, deklaroi se kjo nismë mund të përdoret në një mënyrë tjetër.
"Nga pikëpamja procedurale këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune. A është kjo çështje e Rregullores së Kuvendit apo jo? A duhet të merret Rregullorja vetëm me një aplikacion, se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo?
Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh. Mund ta përfshijmë te formulari i vetëdeklarimit përpara kandidimit apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetarët e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë. Unë personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim më gjerë këtë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese. Nëse duam vërtet një gjë që të adresojë çështjen e pastërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm," tha z. Çuçi.
Më herët Këshilli vendosi që çështja e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj t'i kalojë Kuvendit për votim.
Këshilli u dakordësua që raportet të votohen në seancën e parë plenare.
/rtsh.al/