Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka marrë në shqyrtim mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj, i cili është akuzuar nga opozita se në shkelje të Kushtetutë ka përfituar fonde publike nëpërmjet biznesit të tij.
Në mbledhjen e Këshillit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se deputeti Sinaj po merret në mbrojtje nga mazhoranca dhe po i shpëton shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ndodhi në rastin e deputetes Olta Xhaçka.
Referuar ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, që parashikon se “kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit…”, Bardhi tha se mazhoranca po tenton ta zvarrisë gjithnjë e më shumë çështjen e mandatit të Kushtetutës.
Ai vuri në dukje se mazhoranca po shkel dy vendime të Kushtetueses dhe një opinion të Komisionit të Venecies.
“Gjithë kjo zvarritje për të shkruar një raport një faqe, ju mori dy muaj kohë, që të na tregoni se këtë nuk e bëtë që të zvarritni për të djegur afatet e shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, ju lutem veproni sa më parë dhe jepini mundësi Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë kompetencat e veta.
Nga ana tjetër, respektoni edhe të drejtën e pakicës parlamentare, konkretisht 1/10 të deputetëve që vënë në lëvizje këtë kërkesë. E keni tashmë një eksperiencë të keqe dhe të shëmtuar dhe të paprecendentë për një kolegen tuaj që vazhdoni sot e kësaj dite ta mbroni edhe të shkelni Kushtetutën duke mos respektuar dy vendime të gjykatës Kushtetuese dhe një opinion të Komisionit të Venecias. Mos u bëni përsëritës në shkeljen e Kushtetutës”, u shpreh Bardhi.
Mandati i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë përfundon në muajin shtator, kur pritet të betohen edhe 140 deputetët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet e përgjitshme parlamentare të 11 majit. Në këtë mënyrë, referuar afateve, mocioni i papajtueshmërisë së mandatit për deputetin Vullnet Sinaj nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pas datës 10 mars.
/rtsh.al/