Në ceremoninë e dekorimit nga Bashkia Kavajë të William Walker-it, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi deklaroi se ambasadori Walker ka një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës.
Ai e vlerësoi Ambasadorin Walker si një figurë kyçe në momentet më të rëndësishme për Kosovën, duke theksuar se ai ka shkruar histori në një periudhë shumë të vështirë për vendin.
“Ambasadori William G. Walker ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së luftës për Kosovën, duke qenë një mbështetës i paepur i Kosovës. Ai ka shkruar histori për vendin tonë në një moment të veçantë”, u shpreh Ambasadori Durmishi.
Durmishi falënderoi qytetin e Kavajës për ish-ushtarin e UÇK,-së Indrit Cara “heroin e madh që na keni dhënë, Indrit Cara, dhe për mikpritjen dhe ndihmën që keni ofruar për një numër të madh kosovarësh që kërkuan strehë në këto kohë të vështira”
Gjithashtu ambasadori Durmishi theksoi se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të thella dhe se është e rëndësishme që këto lidhje të vazhdojnë të forcohen.
Ndërkaq, i pranishëm në këtë ceremoni kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se ambasadori William G.Walker “është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë.”
“Masakra e Raçakut, në njëfarë mënyre falë këtij burri që kemi ne sot, ishte rasti kur flijimi i 45 burrave, grave, fëmijë, u shndërrua në dritë lirie për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/