RTSH 24 Live

Muzikë

"Kurora Labe", grupi që u ngrit në tabanin dhe traditat e zonës së Picarit

30/01/2025

"Kurora Labe", grupi që u ngrit në tabanin dhe traditat e zonës së Picarit

Në zonën e Gjirokastrës, zë polifonisë labe i dha edhe Picari.

Gjithçka e trashëguar nga të parët filloi të merrte vëmendje në vitet 60 me aktivizimin e të rinjve të cilët e ngjitën për vite me radhë këngën picariote në skenën e festivalit. Në nëntor të vitit 2001 zëra bilbilash u bënë bashkë për të krijuar grupin "Kurora Labe".

Kënga labe ka ardhur brez pas brezi që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Lebërit në shekuj kanë ditur të ruajnë vlerat dhe trashëgiminë që është sa e bukur dhe e vështirë. Labëria, si burrat dhe gratë i kanë kënduar me mjështëri Lirikës, epikës historisë dhe e kanë përcjellë në breza. Ajo ka ardhur herë lozonjare e herë si gjëmim i rëndë në shekuj.

Kënga labe s'të lë dot

Vjen nga shekujt deri sot

Me derte, gëzime plot

Ti më njohe dhe në botë

Të bekoj i madhi Zot!

U këndofsh për jetë e mot!

Në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe, si mbarë arti ynë muzikor popullor, është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, thjesht familjare. Ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës se dyte të shekullit 20. Kultura muzikore polifonike labe ështe shquar gjithmonë nga një gjallësi dhe densitet i madh.

Si bashkudhëtarë e ditëve të gëzuara e të trishtuara të malësorit të Jugut, polifonia labe simbolizonte vazhdimisht një art tepër të dashur për të.

Polifonia labe gjallon në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, duke u kënduar në mënyre të pjesshme ose të plotë nga popullsia e rretheve: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Fier.

Ja si vijnë kujtimet e Çerçiz Vehipit, rritur mes polifonisë labe dhe dashuruar me të edhe pse nuk është një këngëtar i mirëfilltë i saj.

Kënga labe është e veçantë, sidomos për ne që na është mësuar veshi, sepse është kënduar nëpër dasma. Por sipas të parëve tregohet se dikur mblidheshin 3/4 lebër dhe këndonin labçe, pra hiqnin mërzinë por edhe argëtoheshin. Më pas kënga labe mori të tjera përmasa sidomos pas viteve '60 ku grupet labe u bashkuan nëpër Vatrat e Kulturës në atë kohë që ishin në çdo qendër fshati. Kjo u kthye dhe në bazën kryesore të argëtimit për zonat, por njëkohësisht solli dhe zhvillimin e këngës labe. Aty u përzgjodhën duke u seleksionuar zëra duke u koordinuar," tha z. Vehipi për RTSH-në.

Ishte nëntori i vitit 2001, kur zëra bilbilash u bënë bashkë për të krijuar grupin "Kurora Labe", e përbërë nga xhevahirët.

  • Dhurim Saraçi, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Dituri Thana, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Banush Malo, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Idriz Isaraj, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Shyqyri Hysi, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Xheli Shkurti, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Ladin Çeli, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Shpëtim Çoçka, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Donatella Nora, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Engjellushe Peçi, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Mustafa Nora, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Seit Selfo, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Valbona Nora, anëtare e grupit “Kurora labe“

Banush Malo e priti me interes ftesën për të qënë pjesë e këtij grupi, ndërsa kujton dhe punën që ka bërë në organizimin e të rinjve në vitet kur ai ishte mësues.

“Si unë dhe ata ishim lebër. Unë e kisha qejf këngën labe, e kisha në gjak dhe doja që ta trashgoja. Për shkak të profesionit tim kisha një të mirë që duke punuar me fëmijët kisha si qëllim dhe të trashgoja këtë pasuri të këngës labe. Nga viti 2001 u organizuam të gjithë si shoqëri dhe krijuam këtë grup polifonik që është edhe sot,“ tregon Banush Malo, hedhës i grupit "Kurora Labe".

Instrumentist i grupit “Kurora labe”, Musa Budo theksoi se “Kënga polifonike e Picarit ka qenë me tradita të vjetra dhe kjo është mbajtur, është kënduar jo vetëm nga picariotët, por edhe nga fshatrat përreth Labërisë".

Përkrah burrave ndër vite në këndimin e këngës labe u rreshtuan edhe gratë. Pas viteve 60 femra u aktivizua edhe në festivale. Një ndër to ishte edhe Dituri Thana, e cila u kthye nga emigracioni në kohën kur iu dërgua sinjali për ngritjen e "Kurorës Labe".

“Ishin shumë faktorë që unë mora pjesë në këtë grup. Kishte pjesëmarrje të gjerë dhe ishin shokët e mi të grupit që kisha kënduar shumë herë më ata. Ishte poeti i dashuruar me këngën labe, Mufit Celi që mori këtë nisëm me këmbënguljen e korifejve të spikatur,” thotë këngëtarja.

Njeriu i penës, Mete Peci, e vlerëson "Kurorën Labe" si një nga grupet që u ngrit në tabanin dhe traditat e zonës së Picarit, për ta përcjellë atë në breza.

Poeti dhe gazetari Aleksandër Çipa e vendos Mufit Celin në panteonin e atyre krijuesve që kontribuan në pasurimin e traditës, duke e vlerësuar si një ndër të spikaturit në ditët e sotme.

“Autorësia e këngëve popullore të Jugut të Shqipërisë, në mënyrë të veçante të polifonisë shqiptare është e bashkëshoqëruar me autorësinë e poetëve që kanë marrë përsipër realizimin e teksteve të këngëve. Në shumicën e studimeve shqiptare shpesh është folur raporti ndërmjet muzikës në mënyrë të veçantë dhe muzikës që mbart teksti si fjalë,” shprehet z. Çipa.

Portretin e tij Mufit Çeli e ka shkruar vetë mes qindra poezive që këndohen nga grupe të ndryshëm popullorë shprehet Ylli Muho, një prej njerëzve me të cilët ka bashkëpunuar.

Prej vitesh jeton në Austri, duke mbajtur detyrën e pedagogut të ekonomisë në një prej universiteteve të Vjenës.

Enea Saraçi u rrit mes këngës labe dhe pse larg mundohet ta mbajnë gjallë aty. Ai shprehet se kjo muzikë duhet të vlerësohet si ajo e kompozitorëve botërorë Moxart e Bethoven.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/