RTSH 24 Live

Aktualitet

Kampi i Gjadrit-43 emigrantët do të kthehen mbrapsht në Itali

3 orë para

Kampi i Gjadrit-43 emigrantët do të kthehen mbrapsht në Itali

Gjykata e Apelit në Romë vendosi pasditen e sotme se Shqipëria duhet të kthejë mbrapsht 43 emigrantët që zbarkuan pak ditë më parë në kampin e Gjadrit në Lezhë.

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Romë thuhet se kanë pezulluar paraburgimin e 43 shtetasve bengali dhe egjiptianë të deportuar në qendrën e Gjadrit, në Lezhë, duke shtyrë vendimin e radhës të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për Vendet e Sigurta.

Efekti i këtij vendimi është se azilkërkuesit do të kthehen në Itali dhe do të lihen të lirë, shkruajnë mediat italiane.

Ky vendim hedh poshtë vijimin e qëndrimit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës. Marrëveshja Rama-Meloni e nënshkruar në nëntor të vitit 2023 në Romë u riaktivizua pas një pauze 2 mujore, teksa të martën në Shqipëri, me anijen Cassiopea, erdhën 49 emigrantë por verifikimit në qendrën pritëse në Shëngjin 6 prej tyre u kthyen sërish në Itali, pasi 4 ishin rezultuan minorenë dhe 2 të tjerë kishin probleme shëndetësore.

Cassiopea është anija e tretë që ka ardhur në vendin tonë për të sjellë emigrantët, ndërkohë që dy operacionet e parë në tetor dhe nëntor dështuan, pasi ndalimi i emigranteve u konsiderua i paligjshëm nga Gjykata e Romes, pasi nuk vinin nga vende të sigurta.

Për këtë, qeveria italiane miratoi një dekret të veçantë që sipas saj u mbështet edhe nga Gjykata e Kasacionit, por megjithatë fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë që pritet të shprehet me 25 Shkurt.

/rtsh.al/