RTSH 24 Live

Aktualitet

Dosja "Partizani", avokatët e Jamarbër Malltezit japin argumentet mbrojtëse

3 orë para

Dosja "Partizani", avokatët e Jamarbër Malltezit japin argumentet mbrojtëse

Në Gjykatën e Posaçme, në seancën paraprake për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, Jamarbër Malltezi ka bërë mbrojtjen e tij përmes avokatëve.

"Për shkak të mungesës së faktit penal, avokatët kërkuan pushimin e gjykimit me alternativë. Nëse gjykata nuk bindet kërkohet kthimi për t'i vendosur SPAK-ut detyra specifike, ndër të cilat është thirrja e Edi Ramës në SPAK për t'u pyetur në lidhje me transformimin e asaj prone nga klub sportiv në truall ndërtimi," u shpreh avokati Genc Gjokutaj.

Në seancën e radhës, që është caktuar në 5 shkurt, do të bëjnë mbrojtjen e tyre edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Ndërkohë në seancat e kaluara avokatët e Berishës paraqitën pretendimet e tyre.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është marrë i pandehur për dosjen "Partizani", për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish-kompleksit sportiv, që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Pasi të dëgjojë palët, gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim, do të kthehet në SPAK apo do të pushohet.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/