RTSH 24 Live

Televizion

Hygerta Sako rrëfen vitet si mis, dashurinë e parë dhe pasionin për televizionin

3 orë para

Hygerta Sako rrëfen vitet si mis, dashurinë e parë dhe pasionin për televizionin

Hygerta Sako, ish-misi shqiptar në vitin 1995, mbetet një nga femrat më të bukura shqiptare. Në një intervistë me "Miqtë e pasdites" nga Beniada Nishani në RTSH 1, ajo ka ndarë të pathënat në lidhje me dashurinë e pasionin për botën sportive, si dhe jetën private.

Në nëntor të këtij viti mbushen 30 vjet që nga kurorëzimi i saj si më e bukura e Shqipërisë dhe ai moment ka mbetur i pashlyer në kujtesën e saj.

"Shumë gjëra më kanë humbur me kalimin e kohës, por emocionin nuk mund ta harroj. Miss Albania ishte një mundësi, që unë e konsiderova për t'u futur në botën e televizionit, se unë e kanë dashur shumë që e vogël. E mendova si një mundësi të mirë, ndoshta për ndonjë kontakt. Kur u shpalla edhe Miss Press dhe Miss Albania ishte një surprizë e madhe. Emocioni ka qenë jashtëzakonisht i fortë. Shumë njerëz sot e kësaj dite nuk e harrojnë mënyrën time të reagimit kur u shpalla mis. I bëri më të thjeshta gjerat që të arrija ku doja," tha moderatorja e njohur, e cila prej 30 vitesh është pjesë e televizionit, dhe theksoi se e do "si ditën e parë".

Hygerta zbuloi edhe fillesat si mis dhe se kush e pikasi në hapat e saj të parë.

"Kam marrë pjesë fillimisht në Miss Durrësi. Aty u zhgënjeva shumë. Ashtu duhet të ndodhte që unë të triumfoja aty ku duhej. Komplet rastësisht, duke ardhur për në fakultet, se isha studente e frëngjishtes në atë kohë, madje ishte dita e tretë që vija në Tiranë me tren nga Durrësi, më takoi në rrugë Marjana Eski, e cila ishte ngarkuar me rekrutimin e vajzave të bukura nëpër Tiranë. Më tha orarin dhe ditën kur mblidheshin vajzat. E kisha me skepticizëm duke qenë se kisha dalë shumë e zhgënjyer nga qyteti im, por motra dhe babi më thanë 'provoje, meqë e do televizionin dhe je kaq shumë e prirë, shfrytëzoje kontaktin'. Vij nga një familje shumë liberale. Jam shumë e lumtur që kam pasur një familje të tillë," tregoi modelja.

Ajo ndau edhe detaje në lidhje me dashurinë e saj të parë, takimin e tyre dhe vendimin për të kaluar në etapën tjetër të krijimit të një familjeje.

"Dashuria ime e parë e madhe është ish-bashkëshorti. Kishim një vit duke u parë në baret e Tiranës, që atëherë ishin shumë të pakta. Shiheshim, por nuk kishim pasur mundësi të kontaktoheshim. Në atë kohë nuk kishte celular dhe ishte shumë e vështirë. Nuk e kuptova që në fillim se ishte personi i duhur. Duke ndenjur bashkë pastaj ndjenja u bë e fortë për të dy. Kam kaluar një periudhë shumë të bukur dy vjet e gjysmë deri sa vendosëm të lidhnim jetën bashkë dhe të krijonim një familje," rrëfeu Hygerta.

Prej gati një dekade, moderatores plot përvojë i është besuar "Rubrika sportive" në Radio Televizionin Shqiptar, emisioni më jetëgjatë sportiv në Shqipëri. Një vit më parë u vlerësua ndërkombëtarisht si moderatorja më e mirë sportive e vitit në Europë.

Ajo tha se të bëhej gazetare sportive fillimisht nuk ka qenë ndër ëndrrat e saj.

Unë pëlqeja televizionin. Por futbolli sidomos ka qenë një dashuri e madhe e imja. Im atë më merte me vete në stadium, në pallatet e sportit. Kemi shkuar të shohim not në ato pishinat e hapura që ka pasur Durrësi, në qitje, në poligon. Godisja vetë, sepse më pëlqente të gjuaja. Një nga dashuritë e mëdha të familjes sime ishte futbolli. Kompeticioni i parë që kam parë ishte ai i ‘86 që ka fituar Argjentina dhe që atëherë nuk linim asnjë pa parë. Futbolli u rrit te unë, edhe dashuria e pasioni. Kur m'u propozua para 11 vitesh që të bëja emisionin e kombëtares, që është një dashuria e madhe, ishte një gjë e bukur për mua. U bë si e përditshme. E njihja mirë futbollin. Thashë, pse jo?! Kur je mirë në nivel, pse mos ta bësh."

/rtsh.al/