RTSH 24 Live

Televizion

"Miqtë e pasdites" - Jori Delli në një rrëfim ekskluziv për dashurinë, aktrimin dhe martesën

29/01/2025

"Miqtë e pasdites" - Jori Delli në një rrëfim ekskluziv për dashurinë, aktrimin dhe martesën
Jori Delli dhe Fred De Palma

Jori Delli, një modele, aktore dhe influencere mjaft e njohur në Itali, ka qenë e ftuar në emisionin “Miqtë e pasdites” në RTSH, për të rrëfyer jo vetëm historinë e dashurisë me këngëtarin e famshëm italian, Fred de Palma, por edhe për përvojën e aktrimit në spotin ku merrnin pjesë dhe dy yje të futbollit botëror, Ronaldo dhe Neimar.   

Pavarësisht njohjes në publik, pak njerëz e dinë që Jori ka ndjekur studimet për inxhinieri, shkencë të cilën ajo e do shumë.

“Kam qenë e shkathët në matematikë. Doja të bëhesha doktoreshë, por në Itali është e vështirë. Në vitin e dytë e kalova testin, por miqtë më këshilluan të kaloj në inxhinieri. Jam shumë elumtur për këtë zgjedhje”, tha ajo.  

Sipas saj, modelingu erdhi në të njëjtën kohë që ndiqte studimet, si dhe me fillimin e rrjeteve sociale.

“Kam punuar edhe kamariere dhe kjo është shumë normale në Itali. Këtë e bëjnë shumë në Itali, pasi ndryshe nga këtu, nuk ka paragjykime për punën. Jam rritur nga 2 prindër punëtorë, ku mamaja merrej me studime, ndërsa babai duke kryer shumë punë të ndryshme, që lidhen me mekanikën etj.”, tha ajo.  

Ajo ka theksuar se në vitet në vazhdim nuk do të donte të merrej me imazhin e saj sepse dëshëron të bëjë një jetë familjare dhe të bëhet mama.

“Ëndrra ime është që të mos kufizohem vetëm në imazhin tim, nuk dua të vë më veten në qendër. Kur kopjojnë modelin tim ndjehem mirë sepse kam ndikuar. Frymëzohem dhe unë nga shumë persona dhe dua të përcjell pozitivitet. Jam shumë perfeksioniste. Jam e fiksuar drejt perfeksionit”, tha ajo në emisionin e moderuar nga Beniada Nishani.  

Puna si aktore me Ronaldon e Neimar ishte një përvojë shumë e bukur për të.

“Në atë kohë isha e lidhur. Firmosëm kontrata, por nuk na u tha se kush do të ishin personazhet kryesor. Na hoqën telefonat gjatë xhirimeve. Fillimisht mendova se ishin sozi të tyre, por ata ishin realë. Gjithsesi nuk është një gjë e jashtëzakonshme”, rrëfeu Jori. 

Lidhur me historinë e saj të dashurisë me Fred de Palma, Jori Delli, nënvizoi se fillimisht nuk e kishte pëlqyer.

“Ai është i butë si një bebe pavarësisht se e shohin me tatuazhe. Fillimisht nuk më pëlqeu. Lidhjet e mia kanë qenë me njerëz me pamje më të zakonshme. Kur u ritakuam ishim secili të palidhur. Fillimisht mendova se do të ishte një lidhje një ose dy muaj. Por doli se është një lidhje që po i reziston kohës”, theksoi ajo.  

/rtsh.al/