Rastet nga shpërthimi i zjarreve të fundit në vend kanë rikthyer vëmendjen tek kujdesi që duhet të tregohet nga të gjithë qytetarët e bizneset.
Kreu i Shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, thotë se gjatë stinës së dimrit problem bëhen zjarret e rëna në kasetat elektrike, por pa përjashtuar dhe një mori rastesh të tjera.
"Pothuajse në të gjitha ndërtimet [të reja e të vjetra], kasetat elektrike të përbashkëta bëhen problem, sepse fuqia e instaluar bëhet shumë e madhe kur vihen të gjitha pajisjet në punë. Moskujdesja me pajisjet elektroshtëpiake, kasetat elektrike dhe rrjedhja e bombolave të gazit...
Pothuajse përditë kemi djegie automjetesh në lëvizje, mbi 150 raste çdo vit.
Kemi situata kur qytetarët mbeten në ashensor dhe lëvizja bëhet nga Shërbimi Zjarrfikës për të hapur ashensorët dhe për t'i nxjerrë qytetarët," shpjegon z. Goxhaj.
Eksperti flet edhe për zonat me problematike, ku ndërhyrja me mjetin zjarrfikës has vështirësi.
"Zonë problematike ka qenë Unaza e Re dhe zona e Tregut Çam. Problem bëhet edhe parkimi i automjeteve, sidomos në orët e vona të natës, që qytetarët i lënë vend pa vend," thotë kreu i Shërbimit Zjarrfikës.
Specialisti i bën thirrje qytetarët të tregojnë një kujdes të shtuar, duke dhënë disa rekomandime.
"Fikësja me pluhur përdoret në të gjitha pajisjet elektrike, nuk përbën problem për qytetarin. Pra, të mos përdoret ujë. Për sa i përket bombolave të gazit, kur qytetari vë re se në ambientet e banimit ose në biznes ka rrjedhje gazi, duhen hapur menjëherë dyer e dritare që ambienti të ajroset dhe të lajmërojë shërbimin përkatës pasi të evakuohet. Bizneset i kanë masat e zjarrit shumë herë më të mira," tregon z. Goxhaj.
195 punonjës zjarrfikës dhe mbi 20 mjete janë në dispozicion, të cilat asistojnë sa herë qytetarët e Tiranës kërkojnë ndihmë.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/