Vendimi i Bashkisë së Dropullit për grumbullimin provizor të mbetjeve është një hap i rëndësishëm për të adresuar problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane në këtë zonë.
Për Drejtor i Shërbimit Urbanistik, Arjan Tusha, kjo masë do të ndihmojë në minimizimin e ndotjes si dhe do të mbrojë më mirë mjedisin, veçanërisht duke marrë parasysh afërsinë me një degë të mbrojtur të lumit Vjosë.
"Nuk e kemi mundësinë që të shkojmë çdo ditë që të dërgojmë këto mbetje në pikën e grumbullimit të Bajkajt në Delvinë. Ky vendim u prit mirë pasi kemi mundësinë t’i dërgojmë këto mbetje urbane në një pikë të sigurtë", tha Tusha.
Drejtori Tusha shtoi se bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Franceze të Zhvillimit është një shenjë e angazhimit të qeverisë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
“Na është kërkuar të miratohet në Këshill si një pikë grumbullimi në një zonë që është jashtë bashkisë tonë”, tha ai.
Vendosja e një pike grumbullimi ofron një mundësi më të mirë për menaxhimin e mbetjeve urbane, gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit të zonës.
/rtsh.al/