Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetime ndaj një avokati dhe një shtetaseje të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas SPAK, avokati Bardh Koçi ka marrë një ryshfet prej 1000 eurosh nga shtetasja P.M., e cila ishte nën hetim për “Falsifikim të dokumenteve shëndetësore”, për të ndikuar në vendimin e gjykatës që shqyrtonte çështjen e saj.
Sipas njoftimit të SPAK, avokati Koçi, në atë kohë i punësuar si auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit, kishte kërkuar nga P.M. shumën prej 4000 eurosh, dhe kishte marrë një shumë paraprake prej 1000 eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit që po shqyrtonte çështjen.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masa sigurimi për të dyshuarit: "arrest në shtëpi" për avokatin Bardh Koçi dhe "detyrim paraqitje" për P.M., shtetasen e dyshuar për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.
Po ashtu, gjatë hetimeve janë kryer kontrolle në banesat e katër shtetasve, përfshirë atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, për të mbledhur prova që lidhen me këtë rast.
/rtsh.al/