RTSH 24 Live

Aktualitet

Panairi i Punës në Athinë, Rama viziton stendat: Do kemi një tjetër në vjeshtë, e shtrijmë dhe në Itali

02/03/2025

Panairi i Punës në Athinë, Rama viziton stendat: Do kemi një tjetër në vjeshtë, e shtrijmë dhe në Itali

Kryeministri Edi Rama ka vizituar stendat e Panairit të Punës në Athinë, që ofron mundësi të shumta për punësim për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Ky panair ka mbledhur kompanitë nga sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, turizmin, infrastrukturën, ndërtimin, agrikulturën, farmaceutikën dhe shërbimet, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për punësim. Kompanitë e pranishme kanë theksuar se pagat e ofruara janë konkurruese dhe dinjitoze, duke u krahasuar me ato të vendeve të Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama ka ndaluar personalisht në çdo stendë, ku ka komunikuar me përfaqësuesit e kompanive dhe ka theksuar mundësitë për pozicionet e ndryshme që ofrohen me paga që nisin nga 1 mijë euro në muaj, duke u rritur në varësi të kualifikimeve dhe përvojës profesionale.

Gjatë diskutimeve me kompanitë dhe ofertat që ato prezantonin, Rama tha se pagat por edhe taksat e shtetit janë më të mira dhe konkurruese në Shqipëri se ato në Greqi.

"Do kemi një panair të pranverës dhe një vjeshtës në Greqi dhe më pas do bëjmë edhe panairin në Itali," tha Rama, duke njoftuar për planin e zgjerimit të mundësive për punësim dhe investime për shqiptarët jashtë vendit. Ky panair është një mundësi për shqiptarët që jetojnë në Greqi për të gjetur mundësi punësimi dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Panairi ofron mundësi punësimi për pozita sezonale dhe gjithëvjetore, duke përfshirë një gamë të gjerë fushash dhe profesionesh që kërkojnë ekspertizë. Me moton "Puno dhe jeto aty ku ke zemrën", ky panair synon të ofrojë mundësi konkrete për shqiptarët që dëshirojnë të investojnë ose të punësohen në atdheun e tyre.

Të gjitha mundësitë e punës dhe materialet informuese do të jenë të aksesueshme online https://punoneshqiperi.gov.al duke mundësuar kështu që çdo person i interesuar të marrë pjesë dhe të njihet me ofertat që ofrojnë kompanitë shqiptare.

/rtsh.al/