Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna synohet të jenë pjesë listës së trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO si “Zonë rezervë biosferë”. Ky është një projekt që ka angazhuar organizatat mjedisore dhe aktorë vendorë nga Shqipëria dhe Mali i Zi, me qëllim ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre ekosistemeve të rëndësishme ndërkufitare. Sipas Aurora Piroviq, drejtuese e një prej organizatave mjedisore të Shkodrës e përfshirë në këtë proces, aktualisht po punohet për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikimin në UNESCO.
“Është një projekt që ka startuar vite më parë, mes organizatave EIDEN në Tiranë dhe organizatës ENPRO në Malin e Zi përfshirë dhe organizata të tjera lokale si dhe institucione të tjera të dy shteteve. Po punohet për përgatitjen e dosjes për shpalljen e Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna zonë rezervë biosferë në UNESCO”, u shpreh Aurora Piroviq, Biologe, aktiviste mjedisore.
Përveçse një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar, ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën. Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna do të përfitojnë nga standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/