Një 46-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë për vrasje dhe në kërkim për gjobvënie ndaj bizneseve është kapur nga forcat RENEA.
46-vjeçari së bashku me 4 persona të tjerë, një prej të cilëve i arrestuar, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë.
Këtyre personave, iu sekuestruan 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjete të blinduara, të cilat përdoreshin për të kryer veprimtarinë kriminale të shtrëngimit me anë të kanosjes, për dhënie pasurie
“Si rezultat i ndërhyrjes së specializuar policore të shërbimeve të Forcës Speciale “RENEA”, në mbështetje të shërbimeve operacionale të Policisë së Lezhës dhe të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, u mundësua lokalizimi në Mamurras, neutralizimi dhe vënia në pranga e shtetasit të shpallur në kërkim, J. Ll., 46 vjeç.
Nga hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Lezhë dhe Prokuroria e Lezhës, dyshohet se ky shtetas dhe 4 të tjerë (konkretisht 1 shtetas i arrestuar dhe 3 shtetas të proceduar penalisht, më datë 19.02.2025), të organizuar si grup, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/