Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore mbi Luigj Gurakuqin, 100 vjet pas vrasjes së tij në Bari, e organizuar nga kryetari i bashkisë Vito Leccese (lex. Leçeze) dhe Universiteti i Barit.
Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e kësaj figure të rëndësishme të historisë.
"Luigj Gurakuqi nuk ishte një figurë as rastësore dhe as episodike, por një personalitet me rol vendimtar për fatin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar. Ishin vitet kur Shqipëria po bëhej dhe patrioti dhe shtetari, luftëtari dhe dijetari ynë i madh ishte gjithmonë aty. Ishte ndër më të spikaturit burra të Shqipërisë që i doli zot atdheut të vet me dije e me penë, por edhe me betejat e tij. Ishte jo vetëm një dijetar poliedrik, por edhe një luftëtar për pavarësinë e Shqipërisë," u shpreh znj. Spiropali.
Luigj Gurakuqi ishte nënshkrues i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë dhe personazh i politikës shqiptare gjatë çerekut të parë të shekullit XX.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/