RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit- Sot afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, 53 parti në garën elektorale  

6 orë para

Zgjedhjet e 11 majit- Sot afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, 53 parti në garën elektorale  

Sot (e hënë) është dita e fundit për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025. Apeli për respektimin e këtij afati, nëse do të ketë koalicione në zgjedhjet e 11 majit, u bë edhe nga kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai u kërkoi partive politike që të depozitojnë kërkesën e tyre në KQZ për t’u regjistruar brenda datës së sotme.

“Partitë politike që dëshirojnë të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvend më 11 maj 2025, duhet të depozitojnë kërkesën në KQZ për t’u regjistruar si koalicion zgjedhor, jo më vonë se data 3 mars 2025”, njoftoi Celibashi.

Sipas Kodit Zgjedhor, më 12 mars përfundon edhe afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve. Ndërsa më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve.

Sipas kalendarit, më 20 mars përfundon afati për plotësimin e dokumentacionit të kandidimit, si dhe më 25 mars përfundon afati për miratimin e listave shumemërore të kandidatëve për deputet.

“Brenda datës 20 mars shpresojmë të përfundojmë të gjithë procesin e shqyrtimit dhe miratimit të listave shumemërore, me shpresën që nuk do të kemi problematika me dokumentacionin. Kjo do të na mundësojë mjaftueshëm kohë për të përgatitur gjithë dokumentacionin zgjedhor për votimin nga jashtë.”, tha Celibashi në një takim informues me median.

Votimi nga jashtë

KQZ bëri të ditur se deri tani ecuria e përgatitjes së procesit ka vijuar në përputhje me parashikimet ligjore. Më datë 4 mars, ora 24:00, përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për t’u regjistruar si zgjedhës nga jashtë.

“Dita e diel, 2 mars 2025, ka qenë dita me numrin më të madh të aplikimeve për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë, me 16,302 shtetas shqiptarë.  Deri më 9 mars do të shqyrtohen kërkesat që mbërrijnë sot dhe nesër. Më 9 mars do të publikohet lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë.”, tha Celibashi.  

Komisioneri iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje edhe me mundësinë e shtyrjes së afatit të regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë. Ai theksoi se nuk është e mundur të shkohet përtej datës 9 mars, pasi kjo është një datë e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.

“Pa një proces amendimi ligjor, nuk mund të ketë shtyrje përtej kësaj date. Deri më 9 mars mund të diskutohet, pasi nga ana teknike KQZ është e gatshme, por mungon konsensusi politik për një shtyrje të mundshme.”, tha Celibashi.  

Komisioneri bëri me dije se i ka propozuar dy forcave kryesore politike që, të paktën për 42 mijë zgjedhësit të cilëve u është refuzuar kërkesa, të konsiderohet mundësia që KQZ të ketë disa ditë shtesë për të asistuar në një proces riaplikimi.

"Nëse KQZ arrin t’i trajtojë këto raste individualisht, sikurse po bën aktualisht, kjo do të ishte me dobi. Megjithatë, edhe kjo mundësi duhet të adresohet nga Komisioni Rregullator përmes një akti normativ përkatës. Aktualisht, data 4 mars mbetet afati i fundit për aplikimin për regjistrim në listën e votuesve nga jashtë.”, u shpreh Celibashi.  

Partitë pjesëmarrëse në zgjedhje

Do të jenë 53 parti politike që pritet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në seancën e sotme publike në KQZ, miratoi kërkesën për regjistrimin në zgjedhje të “Koalicionit Euroatlantik” të Lulzim Bashës, por që në KQZ ka për kryetar, Endri Hasën.

Po në këtë mbledhje u regjistrua edhe partia politike “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen” (MEGA), me kryetar, Kristo Kiçon.

Lista e 53 partive politike të regjistruara nga KQZ:

1. “Partia Socialiste e Shqipërisë”, me kryetar Edi Rama

2. “Partia Demokratike”, me kryetar Sali Berisha

3. “Partia e Lirisë”, me kryetar Ilir Meta

4. Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, me kryetar Adriatik Lapaj

5. Partia “Nisma Thurje”, me kryetar Endri Shabani

6. “Partia Lëvizja Bashkë”, me kryetar Arlind Qori

7. Partia “Mundësia”, me kryetar Agron Shehaj

8. “Partia Demokristiane e Shqipërisë”, ke kryetar Nard Ndoka

9. “Partia Lëvizja e Legalitetit”, me kryetar Shpëtim Axhami

10. “Partia Kristian Demokrate”, me kryetar Dhimitër Muslia

11. “Partia Kombëtare Konservatore Albania”, me kryetar Kujtim Gjuzi

12. “Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë”, me kryetar Zef Bushati

13. “Partia Balli Kombëtar Demokrat”, me kryetar Artur Roshi

14. “Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar”, me kryetar Ylber Valteri

15. “Partia Balli Kombëtar”, me kryetar Adriatik Alimadhi

16. “Partia Unitetit Kombëtar”, me kryetar Idajet Beqiri

17. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, me kryetar Vangjel Dule

18. Partia “Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian”, me kryetar Vasil Sterjovski

19. Partia Lëvizja “Atdheu”, me kryetar Kreshnik Osmani

20. Partia “Lidhja Demokristiane Shqiptare”, me kryetar Mhill Gecaj

21. Partia “Drejtësia Shoqërore”, me kryetar Tanush Kaso

22. “Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë”, me kryetar Agron Duka

23. “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë”, me kryetar Kadri Isufaj

24. “Partia Ora e Shqipërisë”, me kryetar Zef Shtjefni

25. “Partia Emigracioni Shqiptar”, me kryetar Kostaq Papa

26. “Partia Komuniste e Shqipërisë”, me kryetar Qemal Cicollari

27. “Bashkimi Liberal Demokrat”, me kryetar Arian Starova

28. “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve”, me kryetar Ymer Kurti

29. Partia “Drejtësi Integrim dhe Unitet”, me kryetar Shpëtim Idrizi

30. “Partia Republikane Shqiptare”, me kryetar Fatmir Mediu

31. “Partia Lëvizja Demokratike Për Ndryshim”, me kryetar Nikolin Staka

32. “Partia Socialdemokrate”, me kryetar Tom Doshi

33. Partia “Fryma e Re Demokratike”, me kryetar Sali Shehu

34. Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, me kryetar Dashamir Shehu/Eqerem Spahiu

35. Partia “Personat me Aftësi të Kufizuar”, me Kryetar Gjovalin Shqalshi

36. Partia “Aleanca Kombëtare Shqiptare”, me Kryetar Elena Kocaqi

37. Partia “Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë”, me kryetar Marjus Malaj

38. Partia “Fronti i Majtë”, me Kryetar Marko Dajti

39. Partia “Rruga e Vërtetë Shqiptare”, me kryetar Muharrem Doda

40. Partia “Aleanca Demokracia e Re”, me kryetar Edmond Stojku

41. Partia “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”, me kryetar Rivelino Çuno

42. Partia “Partia e Reformave Demokratike Shqiptare”, me kryetar Krenar Rryçi

43. Partia “Aleanca Arbnore Kombëtare”, me kryetar Gjet Ndoj

44. Partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, me kryetar Gaqo Apostoli

45. Partia “Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar”, me kryetar Selami Jenishehri

46. Partia “Ardhmërija Shqiptare”, me kryetar Emin Subashi

47. Partia “Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane”, me kryetar Valentino Mustaka

48. Partia “Djathtas 1912”, me organ drejtues “Kolegji Politik”

49. Partia “Aleanca Demokratike Shqiptare”, me kryetar Eduart Abazi

50. Partia “Partia Aleanca Socialiste Shqiptare”

51. Partia “Aleanca Europiane Ekologjike”

52. Partia “Koalicioni Euroatlantik”, me kryetar Endri Hasën

53. Partia “MEGA”, me kryetar Kristo Kiço

/rtsh.al/