Negociatat mes Partisë Demokratike dhe aleatëve për arritjen e një koalicioni zgjedhor të 11 Majit janë ende në zhvillim. Kreu i demokratëve, Sali Berisha tha se nuk ka ngecje të negociatave dhe se marrëveshja me aleatët do të dorëzohet sot (3 mars) në mesnatë në KQZ, ku mbyllet edhe afati i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore.
Gjatë javëve të fundit Berisha ka kryer disa takime me aleatët në selinë blu, por duket se ende nuk ka një vendim përfundimtar.
“Nuk ka ngecje të negociatave me aleatët. Negociatat ecin mirë, marrëveshja do dorëzohet në mesnatë. Është në vazhdim e sipër, por nuk ka ngecje. Probleme të mëdha nuk kemi, megjithatë do shohim fundin”, tha Berisha.
Për sa i përket kandidatëve për deputetë, Berisha tha se aleatët kërkojnë të kenë përfaqësues jo vetëm në listat e sigurta, por edhe në listat e hapura.
“Problemi është se në listën e Tiranës, edhe në të hapurën, aleatët do kenë kandidatë. Dhe jemi të detyruar t’u lëmë në listën e hapur vende edhe partive aleate. Aleatët kanë kërkuar që të kenë përfaqësues në listat e hapura. Jo të gjithë pjesën. Pastaj se si veprohet aty, është përcaktuar një formulë, mënyrë tjetër nuk ka”, u shpreh Berisha.
Koalicioni i drejtuar nga PD do të përfshijë disa parti, përfshirë Partinë e Lirisë, Partinë Republikane, Partinë Agrare Ambientaliste dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, për të mësuar se cilët aleatë do të bashkohen përfundimisht me PD-në, do të pritet dorëzimi i marrëveshjes në KQZ.
/rtsh.al/