RTSH 24 Live

Politikë

42 mijë shtetasve nga diaspora u refuzohet aplikimi në PER, PS mbështet shtyrjen e afatit

5 orë para

42 mijë shtetasve nga diaspora u refuzohet aplikimi në PER, PS mbështet shtyrjen e afatit

Partia Socialiste deklaroi se mbështet mundësinë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.

Deklarata u bë nga Elena Xhina, përfaqësuese e Partisë Socialiste pranë KQZ-së, në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me idenë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Sipas përfaqësueses së PS-së pranë KQZ-së, Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas, të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.

“Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qenit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.”, deklaron Xhina.  

Partia Socialiste, nëpërmjet përfaqësueses së saj në KQZ, thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.

“Falë angazhimit të KQZ-së, por dhe forcave politike me fushatën e gjerë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars. Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes, do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm”, mbyll deklaratën Xhina.

/rtsh.al/