RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj: Më burgosën pa gjyq, nuk kishte rrezik për arratisjen time

8 orë para

Veliaj: Më burgosën pa gjyq, nuk kishte rrezik për arratisjen time

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar sërish në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj tij, ndërkohë që ndodhet në Burgun e Durrësit, ku akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Në një postim në Facebook, Veliaj ka shprehur se burgosja e tij është e pabazuar, pasi hetimet ende nuk janë mbyllur dhe ai nuk paraqet rrezik për t'u arratisur. Ai thekson se mund të ishte marrë masa e mbajtjes së pasaportës në vend të burgosjes dhe të mos shpallej fajtor pa gjyq dhe pa fakte.

“Duke qenë se e keqja as nuk agjëron, as nuk pushon, por ushqehet përditë me ligësi dhe mashtrim, lipset që edhe unë, edhe ne, ta luftojmë përditë haramin që na rrethon. Pasi u procedova me letrën anonime të Nesti Angonit, pasi u shpalla “i dënuar” që në faqe të parë, dhe pasi u parashtruan “krimet” që variojnë nga lodrat e djalit, te fushata në Rrogozhinë e Kavajë, dhe nga statuset e Facebook-ut tek ato në Instagram, lind pyetja: Po në burg pse jam?

Thosh edhe Kafka te “Procesi”, mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse? Tre janë faktorët që duhet të ketë parasysh Gjykata: rreziku i ikjes, prishja e provave dhe rrezikshmëria shoqërore. T’i marrim me rradhë: Rreziku i ikjes

Gjyqtari Bani arsyeton se meqë Ols Dado më akuzon për vepra që dënohen me 12 dhe 15 vjet - pra, 27 vite burg - unë do ikja nga Shqipëria. Po, po, ja lexojeni: “Mund të arrihet në përfundimin logjik ligjor në formën e mundësisë së arsyeshme, mbi mundësinë reale të ikjes nëse nuk ndërhyhet për të caktuar një masë shtrënguese për këtë shtetas”, shkruan Veliaj.

Sipas Veliajt është dënuar pa pasur mundësinë e një procesi të drejtë, ndërsa vijonte të kryente punët për Tiranën.

Dyshohem nga Ols Dado se kam konsumuar 9 herë veprën penale të “Korrupsionit Pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor”, kryer në bashkëpunim, duke filluar që nga viti 2004, në moshën 25 vjeçare, bashkëpunim me persona që as i kam njohur atëherë dhe as kam parashikuar që do i njihja në të ardhmen. Dyshohem nga Ols Dado se kam kryer më shumë se një herë veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtari kriminale.

Meqë Olsi do kërkojë 27 plus vite burg, më duhet të burgosem që pa nisur gjyqi fare. Po unë isha në Gjermani në ditën e bastisjes dhe u ktheva menjëherë! Udhëtova edhe 2 herë në SHBA në 30 dhjetor dhe 20 Janar dhe u ktheva sërish. Ku është rreziku? Ku është arratisja? A nuk do mjaftonte masa e mbajtjes së pasaportës, që edhe ikja nga Olsi e Bani të mos cenohej, por edhe unë të vazhdoja punët për Tiranën, që s’duhet ndalur asnjë moment? Por, siç komentonte Kafka për përndjekësit e tij tek “Procesi”: “Unë as e mendoj të iki nga këta dy përndjekës kaq shembullorë, të cilët më janë qepur pas me kaq zell dhe pasion, sa thuajse më dhimbsen t’i lë vetëm në gjykatë”,” përfundon ai.

/rtsh.al/